Tirane, 4 Mars 2008 – Banka Botërore dhe Ministria e Financave firmosën sot Marrëveshje për një Grant prej 950,000 USD që do të ndihmojë përgatitjen e Programit të Energjisë Komunitare për Evropën Juglindore 5 që në Shqipëri do të mbështesë projektin e Sigurisë së Digave. Ky grant financohet nga Qeveria Japoneze përmes Fondit të Zhvillimit të Politikave dhe Burimeve Njerëzore. Ky fond është themeluar në 1990 si një partneritet i Qeverisë Japoneze me Bankën Botërore.
Në emër të Qeverisë Shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave, z. Ridvan Bode. Në ceremoni ishin të pranishem edhe Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri znj. Camille Nuamah, Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Japonisë në Shqipëri Dr. Bujar Dida, si dhe anëtare të ekipit përgatitor të projektit nga Banka Botërore.
Ministri i Financave z. Ridvan Bode falënderoi Bankën Botërore dhe qeverinë japoneze për arritjen e kësaj marrëveshjeje. “Ky program i rëndësishëm, theksoi z. Ridvan Bode, nënkupton përgatitjen dhe realizimin e një sërë projektesh në fushën e energjetikës me qëllim sigurimin e digave, përgatitjen e projektit dhe studimin e fizibilitetit dhe gjithë dokumentacionit shoqërues për lidhjen e inter-konjeksionit me vendet e Evropës Jug-Lindore, si dhe nxitjen e investimeve private në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike”.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri znj. Camille Nuamah tha se “Banka Botërore është mirënjohëse për partneritetin e qëndrueshëm me Qeverinë Japoneze në përgatitjen e projekteve të rëndësishme për Shqipërinë.”
Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Japonisë në Shqipëri Dr. Bujar Dida lexoi përshëndetjen e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Japonisë në Republikën e Shqipërisë, SH.T.Z. Juxhi Nakamura. “Në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë shqiptare dhe Bankën Botërore, “Qeveria japoneze dëshiron të vazhdojë ndihmesën për popullin shqiptar për t’i siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur”, thuhej në përshendetjen e Ambasadorit japonez.
Ky projekt është në serinë e investimeve që kanë si synim zhvillimin e një tregu funksional rajonal të energjisë në Evropën Juglindore përmes kryerjes së investimeve prioritare që mbështesin tregun e energjisë dhe sistemet operacionale të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe asistencës teknike për zhvillimin e sistemeve institucionale, përgatitjes dhe zbatimit të projekteve.
Ky projekt synon: (i) ruajtjen e hidrocentraleve ekzistues të mëdhenj në Shqipëri; dhe (ii) nxitjen e investimeve private në prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) do te jetë agjencia zbatuese e këtij granti.
Për më shumë informacion në lidhje me punën e Bankës Botërore në Shqipëri, lutemi vizitoni:
http://www.worldbank.org.al
Për më shumë informacion në lidhje me Ministrinë e Financave, lutemi vizitoni:
http://www.minfin.gov.al
# # #
|