Click here for search results

Shpallen finalistët e Panairit të Ideve Krijuese të Ballkanit Perëndimor për Shqipërinë

Available in: English

 

TIRANË, 17 mars 2006 - Zyra e Bankës Botërore në Tiranë shpalli sot 11 finalistët nga Shqipëria për Panairin e Ideve Krijuese të Ballkanit Perëndimor. Tema e këtij programi është krijimi i vendeve të punës, përmes ideve novatore, në sektorin formal. Papunësia është edhe një nga problemet kryesore me të cilat ndeshen vendet e rajonit. Krahas punësimit të të rinjve programi ka në fokus edhe bashkëpunimin ndër-rajonal.

 

130 kompani private, shoqata biznesi, organizata jofitimprurëse lokale apo ndërkombëtare, institucione lokale dhe qendrore si dhe individë paraqiten projekt-idetë e tyre pranë Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë. Shpërndarja gjeografike e projekt-ideve mbulonte të gjitha rrethet e vendit, deri në zonat e largëta. Këto projekt-ide u vlerësuan përgjatë dy fazave nga një juri lokale e përbërë nga 20 ekspertë të pushtetit qendror e lokal, sektorit privat, rretheve akademike, shoqërisë civile, donatorëve, etj. Kriteret kryesore mbi të cilat u gjykuan projekt-idetë e paraqitura janë: novatorizmi, realizmi, qëndrueshmëria, mundësia e replikimit dhe fokusimi tek të rinjtë dhe bashkëpunimi rajonal.

 

Finalistët nga Shqipëria janë si më poshtë:

 

  1. Grumbullimi, ruajtja dhe përpunimi i plotë i gështenjës së kultivuar në zonën veri-lindore të vendit, “Dardani sh.p.k.”, Tropojë.
  2. Vetë-punësim për të rinjtë me aftësi të kufizuara, Shoqata Shqiptare e Krijuesve me Aftësi të Kufizuar (SHKAKSH), Tiranë.
  3. Përgatitja e 60 vajzave në qytetin e Pukës për të qepur faqe këpucësh duke garantuar punësim për to, Fabrika e këpucëve “BERTTONI” sh.p.k. Shkodër.
  4. Kultivimi dhe rigjenerimi i masiveve të degraduara të bimëve mjekësore dhe aromatike. Organizata: “Mendoni edhe për ne”, Pukë
  5. Teknologjia e informacionit në ndihmë të punësimit të të rinjve në zonat rurale,   Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, Tiranë.
  6. Nxitja e punësimit në Parkun e Butrintit përmes nxitjes së prodhimeve artizanale tradicionale, "Media Saranda” dhe Shoqata “Iliria”, Sarandë.
  7. Punesim permes tradites, Bashkia e Ersekës dhe individ, Ersekë.
  8. Rrjeti i punësimit ONLINE. Fondacioni “Mjaft”, Tiranë.
  9. Ateljeja jonë për punësim e aftësim në Durrës, Shërbimi Social Ndërkombëtar, Zyra për Shqipërinë.
  10. Një investim në kërkesë – ofertën për burime njerëzore të SME-ve në rrugën drejt konkurrueshmërisë,   “Qendra për Edukimin Ekonomik dhe të Biznesit”, Tiranë.
  11. Përdorimi me efektivitet i burimeve natyrore, burimi kryesor i punësimit dhe sigurimit të të ardhurave në zonat rurale, Fondacioni “Agrinas”, Ersekë.

Dhjetë finalistë nga Shqipëria u përzgjodhën nga juria lokale, ndërsa një finalist u përzgjodh nga ekipi drejtues i zyrave të Bankës Botërore në rajon. Të njëmbëdhjetë finalistët do të marrin pjesë në Panairin Rajonal që do të organizohet në 17-18 maj në Beograd ku bashkë me finalistët nga vendet e tjera të rajonit, gjithsej 55, do të paraqesin projektet e tyre përpara një jurie ndërkombëtare, e cila  do të përzgjedhë fituesit për çdo vend.




Permanent URL for this page: http://go.worldbank.org/YBZC4B1F71