TIRANË 24 maj 2006 – Gjashtë organizata shqiptare u shpallën fituese mes 21 organizatave të tjera që do të marrin grante për projekte novatore për punësimin në aktivitetin final të Panairit të Ideve Krijuese mbi Punësimin që u mbajt javën e kaluar në Beograd. Të gjashtë projektet fituese morën vlerësime të larta midis 55 projekteve konkurruese të paraqitura nga organizata jofitimprurëse dhe kompani private nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Serbia e Mali i Zi. Shuma totale e granteve të dhëna ishte mbi 700,000 dollarë. Pjesë e të njejtit program ishte edhe një konferencë që Banka Botërore organizoi në bashkëpunim me një OJQ serbe, Civic Initiative, në të cilën u trajtuan sfida, mundësi dhe eksperienca positive të punësimit të të rinjve në rajon. Në këtë konferencë ishin të ftuar dhe morrën pjesë me diskutimet e tyre përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Fondacionit Besa, si dhe të organizatave rinore shqiptare. "Qëllimi i gjithë këtij aktiviteti ishte nxitja e mendimit krijues mbi një çështje të rëndësishme për zhvillim në rajon siç është krijimi i vendeve të punës në sektorin formal. Duke njohur problemet specifike të papunësisë së të rinjve si dhe lidhjet mes popujve në rajon, ky program grantesh si dhe konferenca rinore që e shoqëroi, u përqëndruan kryesisht në projektet që lidheshin me punësimin e të rinjve dhe bashkëpunimin rajonal" tha Nadir Mohammed, Përfaqësuesi i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. Panairi i Ideve Krijuese është një program që Banka Botërore e zbaton çdo vit në nivel global, në rajone apo vende të ndryshme për të identifikuar dhe mbështetur drejtpërsëdrejti ide novatore mbi zhvillimin përmes granteve dhe aktiviteteve të shkëmbimit të eksperiencave. Ky program është i hapur për të gjithë dhe u mundëson OJQ-ve, qeverive, donatorëve, institucioneve akademike dhe kompanive private që të bëhen partnerë me Bankën Botërore në gjetjen e zgjidhjeve unike për çështje të zhvillimit, të cilat mund të zgjerohen apo aplikohen edhe në vende të tjera. Panairi i Ideve Krijuese për Ballkanin Perëndimor 2006 ishte program i pare i këtij lloji që Banka Botërore organizoi në rajonin tone. Mbi 1400 aplikime u paraqitën nga organizata të shoqërisë civile, sipërmarrës të sektorit privat, fondacione, akademikë dhe agjenci qeveritare në të gjithë rajonin gjatë periudhës 19 nëntor 2005 – 30 janar 2006. Grupe vlerësuesish nga vendet pjesëmarrëse gjykuan aplikimet dhe përzgjodhën 55 projektet më të mira gjatë muajve mars-prill të cilat konkurruan në Panairin e Beogradit për grante 35,000 dollarë për project. Gjashtë organizatat fituese shqiptare qe do të financohen nga ky program janë: 1. Mbledhja, magazinimi dhe përpunimi i gështenjës së kultivuar, Dardania, sh.p.k. Tropojë 2. Investim për të rinjtë përmes aplikimit të kërkesë – ofertës për burime njerëzore në rrugën drejt konkurrueshmërisë, CEBE, Tiranë 3. Përdorimi efektiv i burimeve natyrore, Fondacioni AGRINAS, Ersekë, i cili do të financohet nga Ambasada Holandeze në Tiranë. 4. LABOREMUS: Një rrjet i ri punësimi Online, Fondacioni MJAFT, Tiranë 5. Përgatitja e 60 vajzave në qytetin e Pukës për të qepur faqe këpucësh duke garantuar punësim për to, Berttoni sh.p.k. Shkodër 6. Punësim i të rinjve në zonat rurale përmes Teknologjisë së Informacionit, IDRA, Tiranë Ky program rajonal u mbështet edhe nga Departamenti i Zhvillimit Ndërkombetar i Britanisë së Madhe (DfID), Balkan Trust for Democracy, Komercijalna Banka e Maqedonisë, Delta Holding Company nga Serbia, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur i Serbisë, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur i Shqipërisë, Ambasada Holandeze në Tiranë, Qendra e Medias në Beograd, e të tjerë.  |