“Shqipëria ka tashmë një nivel të ardhurash për frymë që do ta lejojë të kete akses në tregjet ndërkombëtare të kapitalit si një burim financiar zhvillimi. Kjo është një pikë kthesë e rëndësishme për shumë vende […]. Banka Botërore ka besim se qeveria shqiptare do të vazhdojë rrugën e saj të menaxhimit të shëndetshëm makroekonomik, që ka krijuar përfomancë ekonomike të qëndrueshme. Sfida kryesore është të vazhdojë programin e forcimit të klimës së biznesit, përmirësimit të qeverisjes dhe reduktimit të korrupsionit” tha Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri në një intervistë për agjencinë SeeNews. Shqipëria është një vend me të ardhura mesatare, me të ardhura bruto për frymë prej 2,970 dollarë (2.103 euro) në 2006. Ekonomia e vendit ka filluar të rritet me një mesatare vjetore prej 6% që nga viti 1999, pavarësisht tronditjeve të tranzicionit nga një system i fortë komunist drejt një ekonomie tregu dhe trazirave civile të vitit 1997, pas rënies së skemave piramidale të investimit, kur vendi pothuajse u përball me luftën civile. Shqipëria e ka mbajtur shumë të ulët normën mesatare të inflacionit prej 2.4% në vitin 2005, 2.36% in 2006 dhe këtë vit synon inflacion prej 3%. “Shqipëria ka arritur norma rritjeje mbresëlënese dhe ka arritur suksese në reduktimin e varfërisë gjatë dekadës së fundit. Vlerësimi ynë i fundit i varfërisë, i përgatitur së bashku me qeverinë, tregon se numri i të varfërve ka rënë me 7% gjatë periudhës 2002-2005 dhe varfëria ekstreme ka rënë nga 5% në 3.5%. Kjo është arritur kryesisht për shkak të rritjes reale të të ardhurave prej 17% deri 19% për të njëjtën periudhë. Në fakt, një e katërta e njerëzve që ne kemi llogaritur si të varfër në fillim të vitit 2002, kanë dalë nga varfëria. Pra arritja mbresëlënëse lidhet jo vetëm me rritjen ekonomike, por edhe me reduktimin e varfërisë dhe kjo është arritja kryesore nga këndvështrimi i Bankës Botërore,” tha Nuamah. Muajin e kaluar Shqipëria filloi projektin e quajtur “one-stop-shop”, për të përmirësuar klimën se biznesit, premtuar nga qeveritë paraardhëse që nga rënia e komunizmit. Projekti redukton kohën për regjistrimin e bizneseve nga 47 ditë në vetëm një. Në këtë kuadër, Shqipëria do të zvogëlojë taksën mbi fitimin në 10% nga taksa aktuale prej 20% duke filluar nga janari i ardhshëm. “Këto reforma nuk e japin impaktin e tyre brenda një dite. Kështu që sfida mbetet zbatimi, zbatimi dhe vetëm zbatimi, për të qenë të sigurtë që këto reforma, disa prej të cilave kanë filluar me miratimin e ligjeve, do të kenë impakt pozitiv mbi investimet private. Ka gjëra që duhen çuar përpara në mënyrë që ekonomia jo vetëm të vazhdojë të rritet me ritme të larta si në të shkuarën, por edhe të marrë investime private në të ardhmen,” tha Nuamah. STRATEGJIA E BANKËS BOTËRORE PËR SHQIPËRINË Në janar 2006, Banka Botërore miratoi Stategjinë e Asistencës për Shqipërinë (CAS), e cila mbulon peridhën deri në vitin 2009. Programi i CAS-it kërkon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për përmirësimin e qeverisjes, për promovimin e rritjes ekonomike përmes mbështetjes së sektorit privat dhe për përmiresimin e shpërndarjes së shërbimeve publike, në mënyrë të veçantë në sektorin social. Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), krahu i kredive të buta të Bankës, do ta mbështesë Shqipërinë me deri në 86 milionëë dollarë dhe Banka Botërore do të sigurojë deri në 110 milionëë dollarë gjatë 2009-s. “Banka Botërore sapo ka nisur dy projekte te reja, Projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës dhe Projektin e Transportit. Banka është gjithashtu duke përgatitur një projekt për të mbështetur ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve dytësore. Ky projekt do të shqyrtohet nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë këtë vit fiskal. Projekte te tjera, siç i parashikon CAS deri në 2009 do të varen nga rezultatet e diskutimeve që po zhvillohen për Raportin e Progresit të CAS-it, i cili është një rishikim afatmesëm i strategjisë së asistencës. CAS-i aktual planifikon 40-50 milionëë dollarë për vit”, tha Nuamah. Kostoja totale e projektit llogaritet në 55 milionëë dollarë, ku Banka Botërore financon 35 milionëë dollarë, Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtare (SIDA) 4.5 milionë dollarë, Japonia 1.54 milionë dollarë dhe pjesa e mbetur financohet nga qeveria qendrore dhe lokale shqiptare. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë menaxhimin e tokës në Shqipëri, ku ka rreth 600.000 parcela urbane dhe 300.000 parcela rurale ende të paregjistruara. Në vitin 1991, Shqipëria filloi procesin e kthimit të pronave dhe tokës te pronarët, toka e të cilëve ishte konfiskuar përpara vitit 1945, por procesi i regjistrimit të pronësisë së tokës dhe ndryshimit të pronësisë ende nuk është përfunduar. Gjatë viteve të fundit ka pasur edhe një proces informal vendosjeje dhe ndërtimi të shtëpive të paligjshme, kryesisht pranë qyteteve të mëdha, pranë zonave turistike në detet Adriatik dhe Jon dhe kryeqytetit Tiranës. Problemi ende i pazgjidhur i pronësisë së tokës pengon edhe ardhjen e investimeve direkte në vend. Projekti i Bankës Botërore synon të trajtojë problemet e rritjes së pakontrolluar urbane, infrastrukturës publike të papërshtatshme dhe mungesës së qeverisjes dhe shërbimeve publike në të dy nivelet, qendror dhe lokal. Banka financoi 25 milionëë dollarë për ndërtimin e një seksioni prej 26 kilometrash të një korridori të rëndësishëm transporti që do të lidhë Shqipërinë me provincën e qeverisur nga Kombet e Bashkuara të Serbisë se jugut, Kosovën, segmentin Milot-Rrëshen të korridorit Durrës-Kukës-Morinë. Nevoja për një infrastrukturë të përshtatshme transporti u rrit në mënyrë dramatike pas vitit 1990, kur Shqipëria hapi kufijtë e saj dhe filloi tranzicionin drejt ekonomisë së tregut, lëvizja brenda vendit u rrit dhe fluksi i tregtisë në vend dhe jashtë u rrit shumë. Gjithashtu, që nga viti 1999, numri i automjeteve është rritur me një normë vjetore rritjeje prej 14%. Aktivitetet e portit më të madh të Adriatikut në vend, Durrësit dhe të vetmit aeroport ndërkombëtar të Tiranës, gjithashtu janë shtuar ndjeshëm. Megjithë kërkesat në rritje, infrastruktura rrugore në Shqipëri mbetet shumë e varfër, me 14.000 kilometër rrugë gjithsej, nga të cilat vetëm 39% e asfaltuar. SEKTORI I ENERGJISË NË SHQIPËRI Burimet hidrike të Shqipërisë gjenerojnë rreth 95% të prodhimit të energjisë elektrike. Thatësirat e mëdha, mungesa e investimeve të duhura në termocentralet e vjetër dhe menaxhimi i papërshtatshëm, si dhe mbyllja në 31 dhjetor e dy reaktoreve në centralin bërthamor të Kozloduy në Bullgari, nga i cili Shqipëria blinte energji të lirë, shkaktoi ndërprerje drastike të energjisë elektrike në Shqipëri gjatë vitit të fundit me deri në 20 orë ndërprerje në dimër dhe deri në 15 orë pa energji gjatë verës. Një problem tjetër është se linjat e interkonjeksionit me vendet fqinje mbeten të dobëta. Shqipëria nuk ka një linjë interkonjeksioni me Bullgarinë, kështu që i duhet të blejë energji elektrike përmes një linje transmetimi që kalon nga Greqia, e cila e rrit çmimin e energjisë. Gjatë 20 vjeteve të fundit nuk është ndërtuar asnjë central për prodhimin e energjisë elektrike, por vendi është duke privatizuar të vetmin termocentral në Fier. Një termocentral i dytë është parashikuar të fillojë nga puna në maj të vitit 2009. Korporata Energjitike shtetërore KESH, ruan monopolin në tregun e energjisë. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë theksuar vazhdimisht nevojën për të përshpejtuar liberalizimin e tregut të energjisë dhe privatizimin e divizionit të shpërndarjes së KESH-it, në mënyrë që korporata të bëhet financiarisht e qendrueshme dhe të mos varet shumë nga financimi i buxhetit. ”Ndërprerja e energjisë është një kushtëzim domethënës për rritjen dhe investimin. Shumë biznese mbështeten në gjeneratorë individualë për energjinë, të cilët mund të jenë shumë të shtrenjtë për t’u mbajtur dhe gjithashtu dëmtojnë mjedisin. Kostot e prodhimit ndikohen dhe fondet, të cilat mund të përdoreshin për investime të prodhimit devijohen për të siguruar energji elektrike relativisht joeficiente. Përtej sektorit të biznesit, mungesa e energjisë mund të ketë ndikim negativ në sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit dhe mund të pengojë reduktimin e varfërisë“, tha Nuamah. Aktualisht, Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), krahu i sektorit privat të Bankës Botërore, po përgatit privatizimin e divizionit të shpërndarjes së KESH-it. ”Po bëhet studimi i vlerësimit dhe synimi është që procesi i privatizimit të përfundojë në gjysmën e dytë të vitit 2008. Informacion më specifik pritet t’i jepet publikut në fund të këtij viti.” TREGU I PUNËS Shkalla e papunësisë në Shqipëri është ende e lartë, rreth 20% sipas statistikave zyrtare. Remitancat e atyre që kërkojnë punë diku tjetër përbëjnë rreth 19% të PPB-së në Shqipëri. Aktualisht Shqipëria po bën përpjekje të mëdha të forcojë sistemin e vet të arsimit dhe trajnimit në mënyrë që të rrisë aftësitë e forcës së punës. “Ka shumë çështje përsa i përket nxitjes së krijimit të vendeve të punës në sektorin privat. P.sh. taksa për punën është relativisht e lartë dhe vazhdon fluksi i lartë i remitancave. […] Unë jam nga Xhamajka ku remitancat përbëjnë 15% të PPB-së. Kështu që në një farë mënyre duke eksportuar punën ne kemi rritur hezitimin për punë brenda vendit, prandaj që të bëhemi më konkurrues ne duhet të investojmë më shumë në rritjen e aftësive. Nga ana tjetër, remitancat kanë qenë shumë të rëndësishme përsa i përket reduktimit të varfërisë, duke mbushur mungesat e konsumit. Tani është e rëndësishme të transferohen disa nga këto flukse remitancash në investime produktive.”  Â
|