Më lejoni të falenderoj Shkëlqesinë e Tij, Zotin Sali Berisha dhe Ministrin Genc Pollo që patën mirësinë të organizojnë Konferencën e 4-t për Arsimin në rajonin e ECA-s në Tiranë. Dëshiroj gjithashtu të përfitoj nga rasti të falenderoj partnerët tani, Fondacionin Evropian të Trainimeve (ETF), Qendrën Evropiane për Zhvillimin e Arsimit Profesional (CEDEFOP),  për bashkëpunimin e tyre në organizimin e kësaj konference.  Arsimi i mesëm- rritja e aksesit dhe përmirësimi i cilësisë së tij- janë elementë kritikë për zhvillimin e vendeve të rajonit. Frekuentimi në arsimin e mesëm ende nuk i ka arritur nivelet e veta të periudhës së paratranzicionit/përpara viteve 1989, përveç vendeve të reja anëtare. Gjithashtu ka ende shumë vend për përmirësime të cilësisë arsimore dhe kjo ka dalë qartë në vlerësime ndërkombëtare siç është ai i PISA-s.  Zgjidhjet e duhura për arsimin profesional janë me rëndësi për zgjerimin e aksesit dhe përmirësimin e cilësisë. Një numër i madh i nxënësve të shkollave të mesme ende i takojnë sistemit të arsimit profesional. Në varësi të vendeve, pothuajse 25-75 përqind e nxënësve në shkollat e mesme ndjekin arsimin profesional. E megjithatë, ky sistem, me përjashtim të pak vendeve, nuk ka marrë ende vëmendjen që meriton.  Shumë nxënës janë pjesë e sistemeve profesionale që ofrojnë një gamë të ngushtë profesionesh, dhe që mbi të gjitha mund të mos jenë edhe aq të lidhura me tregun e punës, si edhe mund të kenë kosto të mëdha për t’u administruar. Shpesh arsimi profesional nuk ka sjellë mundësi për vazhdimin e mëtejshëm të arsimimit apo për kalimin në universitete, gjë që është në kurriz të nxënësve të shkollave profesionale- të cilët shpesh vijnë nga familje të varfra dhe që i detyron këta nxënës të futen në profesione me paga të ulëta. Sfida përpara nesh është kalimi drejt sistemeve që ofrojnë një bazë më të gjerë profesionesh, më të përshtatshëm për tregun e punës në të cilin njerëzit duhet të jenë vazhdimisht në kontakt me dijen, por me kosto të përballueshme. Prandaj, duhen siguruar mundësi për arsimim të mëtejshëm në mënyrë që nxënësit pavarësisht cilës shtresë shoqërore i takojnë të kenë mundësi të ndjekin arsimin e lartë.  Banka Botërore është e angazhuar për t’u ardhur në ndihmë vendeve për të ndryshuar sistemet përkatëse dhe për ta bërë një gjë të tillë si përmes informacionit të vet, ashtu edhe përmes fondeve. Kjo konferencë është pjesë e programit të dijeve/informacionit, ndaj dhe është konfiguruar si një forum ku ndahen përvoja dhe mësohet mbi reformat në vende të ndryshme të rajonit. Programi i konferencës është i larmishëm, me raste studimore dhe përvoja, por siguron gjithashtu edhe mundësi për diskutime në grupe të vogla.  Shpresojmë që nga kjo konferencë të dalim me një vizion më të qartë mbi disa nga përvojat, që mund të jenë relevante për vendet e përfaqësuara këtu.  |