Click here for search results

Intensifikimi i proceseve integruese me Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor do të përmirësojë zhvillimin ekonomik dhe do të lehtësojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian

WASHINGTON, 10 Qershor 2008 – Banka Botërore ju bëri thirrje sot qeverive në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të thelluar integrimin me Bashkimin Evropian (BE) dhe midis vendeve të rajonit, të zhvillojnë më tej kapitalin njerëzor, të ulin kostot e telekomunikacionit dhe të fokusohen tek çështjet që kanë të bëjnë me mungesat e energjisë elektrike në mënyrë që të mbështesin rritjen dhe zhvillimin ekonomik.

Sipas raportit të ri të Bankës Botërore, Integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe BE: Një Axhendë për Tregtinë dhe Rritjen,  rajoni i Ballkanit Perëndimor është një pjesë shumë e rëndësishme për Evropën Lindore dhe përbëhet nga një grup vendesh të ndryshme, të cilat janë në faza të ndryshme të anëtarësimit në BE. Kroacia dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë janë vende kandidate për anëtarësimin në BE, ndërkohë që Kroacia është tashmë në fazën e negociatave të anëtarësimit. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit (MSA-të), një hap ky i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit. Bosnja dhe Hercegovina ka përgatitur një draft të MSA-së me Komisionin Evropian dhe është planifikuar që ta nënshkruajnë në mes të qershorit.

Sipas studimit, dekada e fundit, sidomos pesë vitet e fundit, kanë qënë relativisht të mbara për këto vende. Megjithatë, ato tani kanë nevojë të përmirësojnë dhe më pas ta bëjnë të qëndrueshme performancën e rritjes dhe zhvillimit për të përshpejtuar reduktimin e varfërisë dhe të integrohen në BE, edhe pse mjedisi i jashtëm bëhet më sfidues. Raporti analizon pengesa të detyrueshme të mundshme në rast se rritja ekonomike do të duhet të përshpejtohet dhe të udhëhiqet nga sektori privat në një shkallë më të lartë sesa është duke e bërë aktualisht në rajon.

Duke u fokusuar në çështjet e rritjes afatgjatë ekonomike në Ballkanin Perëndimor, - tha Sanjay Kathuria, Ekonomist i Lartë i Bankës Botërore dhe një nga autorët kryesorë të raportit, - qëllimi i raportit është të kuptohet më mirë ndikimi tek rritja ekonomike e integrimit më të madh ndërmjet vendeve të rajonit dhe BE-së, si dhe mes vendeve të rajonit. Studimi gjithashtu rekomandon prioritete të mundshme për të ndërmarrë veprime në nivel vendi, në mënyrë që të mundësohet përshpejtimi i rritjes ekonomike që udhëhiqet nga eksporti”.

Kathuria shtoi se shpreson që një performancë më e fortë ekonomike me synim  intensifikimin e integrimit brenda Ballkanit Perëndimor, të cilin e argumenton raporti, do të ndihmojë gjithashtu një stabiliteti të përmirësuar rajonal.

Nisur nga fakti se vendet e Ballkanit Perëndimor janë relativisht të vegjël, raporti vë theksin tek rëndësia kritike që kanë eksportet në rritjen ekonomike dhe si rrjedhim rëndësinë e investimeve të drejtperdrejta të huaja në eksporte, si dhe sugjeron disa prioritete për të vepruar sipas këtyre linjave. Raporti:

  • nënvizon nevojën për një integrim më të thellë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i bërë tregjet më konkurruese dhe për të përmirësaur cilësinë dhe për të ulur kostot e shërbimeve. Kjo do të ndihmonte gjithashtu në kapërcimin e disa disavantazheve të vogla dhe do të tërhiqte më shumë investime të huaja si dhe do të ndihmonte në thellimin e integrimit me BE.
  • tërheq vëmendjen për zhvillimin e kapitalit njerëzor si thelbi i strategjive të vendeve të rajonit në mënyrë që të përmirësohet produktiviteti dhe të ndihmohet në kapërcimin e predominimit të përmbajtjes së aftësive të ulta në ekporte si dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja direkte.
  • tregon nevojën për të ulur kosotot e telekomunikacionit, të cilat do të përmirësonin konkurueshmërinë, do të kompensonin disavantazhet e shoqëruara me tregje të vegjël individualë dhe do të lehtësonin integrimin rajonal.
  • tërheq vëmendjen për shmangien e mungesave të energjisë elektrike, të cilat mund të ndikojnë negativisht në modelin dhe vëllimin i investimeve vendase dhe të huaja.

Ky raport vjen në një moment të rëndësishëm për historinë e zhvillimit të rajonit. Qëllimi i tij është të kontribuojë që dinamikat kryesore të ekonomive të Ballkanit Perëndimor të kuptohen më mirë dhe të jepen themelet analitike për veprimet politike të nevojshme për të nxitur integrimin përfundimtar të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.


Për më shumë informacion dhe për të shkarkuar raportin e plotë, ju lutem vizitoni: http://web.worldbank.org/WBSITE/EXTERNAL/COUNTRIES/ECAEXT/0,,contentMDK:21797167~pagePK:146736~piPK:226340~theSitePK:258599,00.html

Për më shumë informacion mbi aktivitetin e Bankës Botërore në Evropë dhe Azinë Qëndrore, ju lutem vizitoni: www.worldbank.org/eca 

-




Permanent URL for this page: http://go.worldbank.org/UFQZDGURK0