Luigj Frangajn e njoha në këtë qershor, në një nga ditët më të nxehta të tij. Ai i ka mbetur besnik profesionit edhe në ekonominë e tregut të lirë. Shpesh kam dëshiruar testimin e vlerave profesionale që mbaj, - më thotë Luigji.
Agronomi në profesion duket se ia ka arritur dëshirës, teksa më tregon për fermën që ka në pronesi. Kanë kaluar mbi dhjetë vjet që zhvillon një biznes të tijin. Nga pesë dynym tokë të përfituara fillimisht me rikthimin e pronës, Lugji vit pas viti rriti sipërfaqen e blerë deri në 5 ha. Punë e shumë viteve, më thotë, që për të janë përpjekje dhe përkujdesje e gjithë familjes. Vreshta të variteteve të ndryshme, pjeshkë po ashtu edhe fidanë të drurëve frutorë të shumtë i gjen në këtë sipërfaqe, që gjelberim të përhershëm mban. Kjo është struktura e mbjelljes, shpjegon Luigji, i cili veçon se prodhimi i fidanëve të hardhive dhe të drurëve frutore mbetet parësore në punën e tij.
Prodhimin e fidanë me qese, e cilëson të saktë teknikisht dhe cilësor gjithashtu. Fidanët shpërndahen në të gjithë territorin e vendit thotë ai, ndaj dhe me të drejtë më sqaron se kjo është e para bankë gjenetike. Në shumë raste shohim se po na zhduken varietetet autoktone, që shumë vlera mbajnë, plotëson bashkëbiseduesi, i cili shton se pikërisht këtu bëhet e mundur ruajtja, shtimi dhe përmirësimi i varieteteve. Më flet shumë për varietetin e rrushit kallmet që e gjithë zona mburret me të. Edhe të tjerë njohur e kanë. E punuar për merak është gjithçka. Në sistemimin dhe zhvillimin e 5 hektarëve të fermvs u desh shumë punë, ashtu si edhe vitet radhë.
Nuk mjafton vetëm puna me pasion, më thotë Luigji që më rrëfen për rritjen dhe zhvillimin e pronës së tij në Zejmen të Lezhës, nga ku dhe origjinen ka. Edhe ana financiare e ka munduar shumë. Ai më sakteson që në vitin 2003 kur ishte në kërkim të një financimi për të ngritur sistemin e ujitjes, m’u bë mbështetje Banka Botërore, rrugën tek e cila e gjeta natyrshëm nga informacionet në media, që ky institucion me transparencë publikon. Aplikova për programin e granteve konkurruese dhe përfitova rreth 14 000 dollarë. Nga kjo shumë 10 000 dollarë i investoi në sistemin e ujitjes në fermë, ndërkohë që pjesa tjetër iu desh për asistencë teknike, si organizimi i seminareve apo broshurave, që vijëzojnë teknologjinë e prodhimit të fidanëve të hardhive të shartuara antifilokserike. I erdhi në kohë kjo ndihmë që i përshpejtoi kohën e zhvillimit të fermës.
Deri tani në këtë fermë prodhohen rreth 50 mijë rrënjë fidanë, por për Luigj Frangajn janë të pamjaftueshëm, nisur nga kërkesa që vjen në rritje për to. Mendon ta çojë në 200 mijë fidanë prodhimin, por nuk arrihet me një të thënë. Edhe ai vetë e di, por optimist mbetet ndërsa më shpreh dëshirën që programi i granteve konkurruese të vazhdonte edhe ca.Për të kanë ende nevojë fermerët shqiptarë mendon Luigji, që sipas të cilit një pjesë e konsiderueshme e tyre sapo janë mëkëmbur. Njerëzit i janë kthyer punës në fshat për të mos lënë tokën djerrë dhe programi në fjalë nxiti më së shumti në këtë drejtim. Programi i granteve konkurruese që filloi të aplikohej në vend në vitin 2000, është komponent i projektit të shërbimeve bujqësore të mbështetur nga Banka Botërore me 12 milionë dollarë. Pjesa e granteve konkurruese kap vlerën prej 2.5 milionë dollarë dhe fillimisht u shtri në tetë rrethe, duke gjetur më pas shtrirje në të gjithë vendin. Në të 11 raundet që u zbatuan për programin e granteve konkurruese janë paraqitur 656 projekte me drejtim blegtori, pemëtari, bujqësi apo përpunim të qumështit e të tjerë. Përfitues kanë qenë vetëm 140 prej tyre, ndër ta edhe Luigj Frangaj, me të cilin e nisa këtë rrëfim. Kur aplikoi Luigj Frangaj qe raundi i katërt i këtij programi. Ferma e tij nuk kishte shtrirjen e sotme prej 5 hektarësh. Edhe prodhimi nuk ish në këtë sasi. Atëherë punonte vetëm me bashkëshorten Marien, tani ka edhe 10 punëtorë që punojnë së bashku me anëtaret e familjes së tij. Ngritja e sistemit të ujitjes për te cilin shpenzoi 10 000 dollare i dha krahë. Ndaj dhe ndjen e shprehet mirënjohes për programin e granteve konkurruese të Bankvs Botërore. Ka dëshira edhe për më tej. Dëshiron të ngrejë nje serë moderne, që në vlerë e llogarit deri në 500 mijë euro. Po të jetë se do i duhet të investojë paratë e tij do i duhen dhe dhjetë vjet të tjera pune. Gjithsesi mbetet me shpresë se ndoshta një program i tillë si ky i granteve konkuruese do i vijë në ndihmë. E thote këtë teksa bashkëshortja e tij Maria, nuk na lë të largohemi nga ferma pa shijuar ëmbëlsinë e pjeshkëve që rriten në këtë serë.
|