WASHINGTON, D.C., 10 shtator 2008 – Shqipëria renditet e dyta mes vendeve që kanë kryer reforma për të lehtësuar bërjen e biznesit gjatë periudhës 2007-08, sipas raportit “Si të bësh biznes 2009, botimi i gjashtë i një serie të përvitshme të Bankës Botërore dhe IFC-s.
Shqipëria ka thjeshtuar dhe lehtësuar rrregullat në katër nga dhjetë treguesit e vlerësuar nga ky raport përgjatë periudhës Qershor 2007 – Qershor 2008. Në renditjen e përgjithshme të të bërit biznes, Shqipëria kapërcen nga vendi i 135 në atë të 86, duke e bërë vendin të krahasueshëm me vendet e tjera në rajon.
Në Shqipëri është shënuar progres në lidhje më kreditimin përmes krijimit të regjistrit publik të kredive dhe forcimit të mbrojtjes së të drejtave të investitorëve dhe aksionerëve përmes ligjit të ri të shoqërive tregtare. Nisja e një biznesi të ri është bërë më e lehtë si rezultat i konsolidimit të disa procedurave pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit dhe zvogëlimit të tarifës së regjistrimit.
Reforma të tjera që vlerësohen nga raporti janë zvogëlimi i nivelit të tatimit mbi fitimin nga 20 përqind në 10 përqind dhe futja e pagesës online të taksave për biznesin e madh.
“Raporti Si të bësh biznes 2009 konfirmon progresin e dukshëm që Shqipëria ka bërë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, përmes krijimit të rregullave për një ekonomi funksionale tregu, tha Camille Nuamah, Drejtuese e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Vendi duhet të mbështetet mbi këto arritje duke siguruar në të njëjtën kohë që “rregullat e reja” të jenë edhe “rregulla të mira” – pra, që zbatohen në mënyrë transparente, eficiente, të barabarta dhe që lehtësojnë, më shumë sesa pengojnë investimet e mira dhe krijimin e vendeve të punës.” Në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, 23 nga 25 vendet e rajonit kanë kryer 62 reforma rregullatore, që përbëjnë ndërkohë më shumë se një të katërtën e reformave të kryera në botë gjatë kësaj periudhe. Katër nga dhjetë ekonomitë më reformatore për këtë vit gjenden në këtë rajon. Ekonomitë më reformatore renditen si më poshtë: Azerbaixhani, Shqipëria, Republika Kirgize, Bellorusia, Senegali, Burkina Faso, Botsvana, Kolumbia, Republika Domenikane dhe Egjypti.
“Vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vazhdojnë të udhëheqin në nivel botëror përsa i përket lehtësimit të barrierave rregullatore dhe qëndrueshmërisë së axhendës së reformave, ” thotë Svetlana Bagaudinova, bashkëautore e këtij raporti. “Shqipëria këtë vit i është bashkuar vendeve që kryesojnë reformat duke e bërë më të lehtë për sipërmarrësit të bëjnë biznes dhe të krijojnë vende pune.”
Singapori udhëheq për të tretin vit rradhazi renditjen në rang botëror për kuadrin e përgjithshëm rregullator të bërjes biznes. Zelanda E Re pason e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara që renditen të tretat. Në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vendet që renditen më mirë janë Gjeorgjia (15), Estonia (22), Lituania (28), Letonia (29) dhe Azerbaixhani (33).
Raporti Si të bësh biznes 2009 rendit 181 ekonomi sipas lehtësisë së të bërit biznes bazuar në 10 tregues që regjistrojnë kohën dhe koston që duhet sipas rregullave të aprovuara nga qeveria për të filluar dhe zhvilluar një biznes, të bërjes tregti ndërkufitare, pagimit të taksave dhe mbylljes së një biznesi. Kjo renditje nuk reflekton fusha të tilla siç janë politikat makroekonomike, cilësia e infrastrukturës, luhatjet e monedhës, perceptimi i investitorëve dhe niveli i kriminalitetit. |