Click here for search results

A janë gati shqiptarët të zgjedhin një model konsumi më të qëndrueshëm për një të ardhme më të mirë? - Editorial i Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri në gazetën "Panorama"

Available in: English

Camille photoKanë kaluar 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës, por ndikimet e ndryshimeve klimatike do të duan më pak se 20 vjet që të jenë të prekshme. A janë shqiptarët gati të zgjedhin një model konsumi më të qëndrueshëm?

Shqipëria është ndër vendet më prekura në rajon përsa i takon prirjes së ndryshimeve klimatike. Gjatë 15 vjetëve të fundit janë vënë re tashmë modele të ndryshimit të motit me rritje të temperaturave, pakësimit të rreshjeve dhe në mënyrë më të shpeshtë se më parë fenomene ekstreme si përmbytjet apo thatësirat. Pyet çdo operator të hidrocentraleve të vogla nëse për çdo vit që kalon rreshjet e dëborës janë pakësuar ose jo, nëse bora shkrin më herët dhe më shpejt. Parashikimet tregojnë se rreshjet e shiut në verë  do të pakësohen me 10% deri në 2020 dhe me 20% deri në 2050.

Këto ndryshime do të kenë një ndikim direkt mbi bujqësinë dhe prodhimin e energjisë, dhe si rezultat, edhe mbi jetën e gjithësecilit. Fakti i thjeshtë është se produktet që blejmë, përdorim dhe pastaj i hedhim pa kujdes kudo, konsumojnë burimet natyrore shumë më shpejt sesa mund të rikuperohen nga funksionet ekologjike të planetit tonë. Nëse nuk do të merrnim masa të ndryshonim modelet aktuale të konsumit dhe menaxhojmë kërkesat e ardhshme, burimet thjesht do të pakësoheshin. Mënyra e jetesës për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë nuk do të ishte e mundur.

 Për më tepër, Shqipëria ka mundësi të mëdha të papërdorura. Situata aktuale e mungesave në furnizimin dhe përdorimin e ujit, energjisë dhe burimeve të tjera natyrore mund të ndryshonte për mirë me një kosto financiare relativisht të ulët. Veprime të tilla mund të ndihmonin të menaxhoheshin ndikimet e ndryshimeve klimatike. Por kjo do të kërkonte nga çdo shqiptar, dhe jo vetëm qeveria apo sektori privat, që të bëhej i ndërgjshëm për ndryshimin e sjelljes së vet.

Që nga fillimi i tranzicionit, shqiptarët janë përpjekur të kapin çdo moment të humbur: të kapërcejnë vitet dhe kujtimet e mungesave, duke blerë dhe konsumuar si gjithë fqinjët e tyre. Vendi i ka kapur nivelet e të ardhurave të disa prej republikave ish-Jugosllave dhe tani aspiron të arrijë nivelet e konsumit të miqve dhe fqinjëve në Itali, Greqi dhe vende të tjera të BE-së. Por në fillimet e dekadës së dytë të mijëvjeçarit të ri, ne gjendemi përballë një kërcënimi të ndryshëm, jo më të tiranisë politike, por të realitetit mjedisor. Burimet e planetit tonë po pakësohen me një ritëm të shpejtë dhe Shqipëria do ta vuajë këtë së bashku me pjesën tjetër të botës.

Pra, ç’mund të bëjë çdo shqiptar? Ka shumë mundësi, të cilat do ta ndryshonin në mënyrë të dukshme jetën tonë.

Le të marrim konsumin e energjisë. Për shembull, përdorimi i llampave ekonomike (CFL), në vend të atyre të zakonshmeve (inkandenshente) do ta ulte tri herë konsumin e energjisë elektrike për ndriçim. Instalimi i paneleve diellorë, vendosja e dritareve me xham të dyfishtë apo izolimi termik do të ndikonte edhe më shumë. Çmimet e energjisë elektrike po rriten, sepse kostoja e sigurimit të saj nuk përfshin vetëm koston e prodhimit, por edhe koston mjedisore të humbjes së energjisë elektrike. Kursimi i saj do të ishte jo vetëm përgjegjshmëri ndaj mjedisit, por edhe fitimprurës nga pikëpamja financiare.

Ose të marrim konsumin e ujit. Burimet ujore të Shqipërisë përdoren për furnizimin me ujë, energji, industri dhe bujqësi. Por pikërisht, sepse ka pak kërkesë në menaxhimin e tyre dhe shumë shpërdorime, Shqipëria konsumon dy herë më shumë ujë sesa shpenzon konsumatori evropian në vit. Çmimi për ujin dhe ujitjen është kaq i ulët, saqë përpjekjet për ta kursyer atë janë të pakëta.

Ndoshta shembulli më i fundit më i rrezikshëm ëshë ai i ndotjes së ujit, tokës dhe ajrit. Shihen shpesh hapësira të lira, shtretër lumenjsh, rrugë dhe plazhe që janë kthyer në vende ku mund të hidhen plehra dhe mbeturina pa limit. Por ajo që sot është një hapësirë e lirë, nesër ndoshta mund të kthehet në një sipërfaqe të papërdorshme për ndërtimin e një shkolle apo qendre shëndetësore të re për të cilën komuniteti ka aq nevojë. Sigurisht që pushteti qendror dhe ai vendor duhet të luajnë rolin e tyre, por njerëzit sot me pakujdesinë dhe sjelljen e tyre dritëshkurtër vetëm sa ngrenë kostot e pastrimit të nesërm, taksat apo borxhet që do të paguhen për ta pastruar.

Kanë kaluar 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës, por ndikimet e ndryshimeve klimatike do të duan më pak se 20 vjet që të jenë të prekshme. A janë shqiptarët gati të zgjedhin një model konsumi më të qëndrueshëm për një të ardhme më të mirë?

Camille Nuamah është Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Tiranë. Banka Botërore mbështet menaxhimin e mjedisit në Shqipëri përmes një numër projektesh dhe programesh. Kohët e fundit, Banka Botërore sponsorizoi konsultime dhe dialog mes teknicienëve, studiuesve dhe hartuesve të politikave mbi mënyrat e adaptimit të sektorit energjitik ndaj ndryshimeve klimatike. Për më shumë ju lutemi vizitoni:  www.worldbank.org.al.




Permanent URL for this page: http://go.worldbank.org/NVF2UX4R50