Click here for search results

Ministria e Financave lançon Projektin e Përmirësimit të Raportimit Financiar të Shoqërive

Available in: English

Ministria e Financave, Banka Botërore dhe SECO (Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike) janë duke punuar së bashku në Shqipëri për të krijuar një mjedis transparent politikash dhe një kuadër efektiv institucional për raportimin financiar të shoqërive, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare, të përafruara me acquis communautaire të BE. Raportimi më i mirë financiar kontribuon për investimet e huaja direkte dhe ato të portofolit, nxit zhvillimin e sektorit financiar dhe atij privat, dhe lehtëson integrimin në tregun e Bashkimit Evropian.

Për këtë qëllim Ministria e Financave lançoi zyrtarisht Projektin e Përmirësimit të Raportimit Financiar të Shoqërive (CFREP) më 13 prill, 2011. Audienca përbëhej nga përfituesit e projektit dhe aktorë të tjerë të përfshirë në reformat e raportimit financiar të shoqërive. Ky projekt ka për qëllim të materializojë disa nga aktivitetet e parashikuara në Planin e Veprimit  dhe të Stratgjisë të Qeverisë Shqiptare për Reformën Raportimit Financiar. CFREP do të zbatohet nga Ministria e Financave. Projekti është i financuar, përmes fondeve donatore të administruata nga BB, me një kontribut prej 1.25 milion euro nga SECO. Aktivitetet nën këtë projekt janë të kombinuara dhe përfitojnë nga aktivitetet rajonale të REPARIS (Rruga drejt Evropës: Programi i Reformës në Kontabilitet dhe Fuqizimit Institucional - www.worldbank.org/cfrr/REPARIS), ku Shqipëria është një pjesëmarrëse e rëndësishme. REPARIS është program i implementuar nga Qendra rajonale e Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar në Vjenë, e financuar nga qeveritë e Austrisë dhe Luksemburgut.

Sipas Zëvendësministrit të Financave, z. Nezir Haldeda: "Qeveria e Shqipërisë dhe Ministria e Financave janë të angazhuara për reformat në mënyrë që të përmirësohen kuadri ligjor, institucionet dhe profesioni i kontabilistit, si dhe kultura e biznesit, kontabilitetit, dhe auditimit në vend... reforma do të vijë vetëm nëse atë do ta fillojmë nga vetja dhe të krijojmë bindjen se e vetmja mënyrë për përmirësimin e raportimit financiar në vend është reformimi i vërtetë dhe thelbësor. "

Zëvendës Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, znj Greta Minxhozi, shprehu mbështetjen e Bankës Botërore për zhvillimin e një mjedisi transparent dhe stimulues të biznesit. Në këtë kuadër, përmes programit REPARIS, BB ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Financave në hartimin e projektit CFREP dhe do të vazhdojë bashkëpunimin në të ardhmen në këtë aspekt.

Ambasadorja Zvicerane, H.E. Yvana Enzler përmendi se Zvicra e vë qeverisjen ekonomike në qendër të punës së saj për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim me vendet e saj partnere si Shqipëria.  Së bashku me rregullat e qeverisjes politike dhe qytetare, qeverisja ekonomike përbën një nga tri shtyllat e qeverisjes së mirë. Ekziston një nevojë për të përforcuar zbatimin dhe aftësinë e sektorit privat për të qenë në përputhje me SNRF-të.

Ekspertët e Bankës Botërore, z. Andrei Busuoic dhe znj Antonia Viyachka bënë një prezantim të përgjithshëm të projektit, si dhe në lidhje me cështje administrative dhe të implementimit.

Rezultatet e pritura nga projekti janë:
(a) propozimi për një kuadër ligjor të raportimit financiar në përputhje të plotë me acquis communautaire të BE-së,
(b) përmirësimi i efektshmërisë së Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit;
(c) marrëveshje të përmirësuara institucionale me synim zhvillimin dhe adoptimin e mjeteve, sistemeve dhe proçedurave për një sistem efektiv të mbikqyrjes së auditimit publik;
(d) një program arsimor i përmirësuar për kontabilitetin dhe auditimin me qëllim lehtësimin e zhvillimit të aftësive të profesionit, dhe (e) përmirësimi i menaxhimit të reformave në raportimin financiar nga Komiteti Drejtues Kombëtar dhe Ministria e Financave.

Komiteti Kombëtar Drejtues i reformës kombëtare të raportimit financiar do të ketë një rol mbikëqyrës në këtë projekt, ndërsa përfituesit përfshijnë Ministrinë e Financave, Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit, Bordin e Mbikqyrjes Publike, shoqatat profesionale dhe universitetet.




Permanent URL for this page: http://go.worldbank.org/X4SRIVN6J0