Click here for search results

Intervistë e Erjon Luçit, Ekonomist i Bankës Botërore për Shqipërinë dhënë revistës "Monitor"

Available in: English

1. Cili është mendimi juaj mbi progresin e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2011?

Sikurse ishte rasti për shumë vende të Evropës, viti 2011 u përcaktua nga zhvillimet e eurozonës, sidomos në tremujorin e fundit. Ajo që fillimisht u duk si një rigjenerim i qëndrueshëm u ndërpre nga shqetësimet në rritje për borxhin sovran të vendeve periferike të eurozonës që u përshkallëzuan në një kërcënim për vetë sistemin. Veçanërisht problemet në Itali dhe në Greqi, dy prej vendeve në qendër të krizës së borxhit sovran ku ndodhen dhe shumica e emigrantëve shqiptarë, ndikuan në uljen e kërkesës së brendshme përmes rënies të fluksit të remitancave. Kërkesa ndërkombëtare për lëndë të para ndihmoi në rritjen e eksporteve dhe rigjenerimin e sektorit të industrisë pavarësisht intensifikimit të krizës së euros. Por rritja e e importeve të energjisë elektrike si rezultat i thatësirës që përfshiu rajonin pengoi përmirësimin e bilancit tregtar (eksporteve neto). Për rrjedhojë, kërkesa agregate nuk u rigjenerua sikurse pritej në fillimin e vitit duke zbehur shpresën  për kthimin në ritmet më të larta të rritjes. Në përgjithësi, rritja e moderuar e vitit 2011 u përqendrua në sektorët e bujqësisë dhe atë të shërbimeve që nuk përjetuan të njëjtën tkurrje kërkese si ajo që u vu re në sektorë të tjerë si ndërtimi.

2. Cilat janë disa nga arritjet/problemet?

Një zhvillim pozitiv kryesor është rinisja e dialogut politik që përbën një faktor të rëndësishëm për të çuar përpara programin e reformave dhe procesin e integrimit të Shqipërisë. Pavarësisht problemeve aktuale të eurozonës, integrimi në BE mbetet strategjia më optimale ekonomike për Shqipërinë në planin afatgjatë. Në sferën ekonomike, dhënia kohët e fundit e licencës së dytë 3G është një shembull pozitiv që pritet të përmirësojë konkurrencën në sektorin e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit. Gjithashtu, Shqipëria arriti të ruante deficitin fiskal dhe inflacionin brenda objektivave pavarësisht ndikimeve të jashtme që ushtruan një trysni të madhe ndaj çmimeve të ushqimeve dhe të ardhurave fiskale. Përvoja e viteve të fundit ka treguar rëndësinë e ndjekjes së politikave të matura fiskale dhe atyre rregullatore për sistemin bankar. Hapësira fiskale ndihmoi Shqipërinë të përballonte goditjet e jashtme si ato të vitit 2009 pa rrezikuar nivelin e shpenzimeve në sektorët kyç publikë, ndërkohë që mbikëqyrja e kujdesshme ndihmoi në ruajtjen e qëndrueshmërisë të sektorit bankar. Rritja e pasigurisë të mjedisit të jashtëm ka shtuar nevojën për rigjenerimin e hapësirës fiskale për të përballuar me sukses goditje të tjera të mundshme. Me gjithë sakrificën në dukje në planin afatshkurtër, kjo politikë e matur ka vlera të konsiderueshme për periudhën afatgjatë.

3. Si do ta vlerësonit klimën e biznesit dhe si mendoni se mund të përmirësohet?

Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur ka qenë reforma e inspektimit. Sikurse ka treguar edhe raporti “Të bësh biznes 2012”, Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat në fusha të caktuara. Çështja e pronave mbetet një sfidë e rëndësishme për përmirësimin e mjedisit të biznesit në vend. Në lidhje me të, një fushë problematike ku nevojitet një progres i shpejtë është çështja e lejeve të ndërtimit. Në planin afatgjatë fokusi duhet të mbetet në përmirësimin e qëndrueshmërisë të kuadrit rregullator, përmirësimin e aftësive dhe të infrastrukturës. Në lidhje më këtë të fundit, progresi i shpejtë i viteve të fundit duhet konsoliduar duke planifikuar me kujdes fonde të mjaftueshme për mirëmbajtjen, dhe duke ndjekur një politikë tarifore dhe çmimesh që siguron mbulimin e kostove dhe qëndrueshmërinë e cilësisë të shërbimeve infrastrukturore.

4. Çfarë masash duhet të merren për të amortizuar krizën financiare dhe për të ulur borxhin?

Duke ju referuar krye-ekonomistit tonë Indermit Gill, nëse gjatë krizës arrihet të mbrohen nga goditja më të varfrit dhe shtresat në nevojë, nëse rritet efikasiteti i shpenzimeve publike, nëse mund të lehtësohet puna e investitorëve privatë, nëse mund të përmirësohet balanca e mbrojtjes sociale dhe stimujve për punë, atëherë kriza mund të bëjë mirë, jo dëm. Prandaj, për vendet me hapësirë fiskale të kufizuar si Shqipëria, përmirësimi i efikasitetit të financave publike dhe përcaktimi i prioriteteve që siguron vijueshmërinë e shërbimeve bazë sociale si siguria publike, arsimi dhe kujdesi shëndetësor, përbën një përqasje të mirë për të dalë nga kriza relativisht të paprekur. Kjo politikë e matur do të ndihmonte në mosshmangien e vëmendjes nga  programi afatgjatë i reformave strukturore për të ruajtur vazhdimësinë e procesit të konvergjencës dhe të integrimit, dhe për ta vënë Shqipërinë në pozita të mira në konkurruese në nivelin global e rajonal. 

5. Cili është parashikimi juaj për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2012? Çfarë duhet të përmirësohet?

Me eurozonën në prag recesioni dhe me ngadalësimin e rritjes dhe tregtisë globale, besimi i biznesit dhe i konsumatorit mund të ndikohet negativisht. Me një kërkesë të sektorit privat ende të dobët dhe një rënie të tregtisë ndërkomëbtare, pritet që ritmet e rritjes të ngadalësohen. Duke supozuar një dalje graduale nga kriza e eurozonës, rritja në Shqipëri në vitin 2012 pritet që të mbetet diku ndërmjet 2 dhe 3 përqind. Me pasigurinë e lartë të mjedisit të jashtëm, kjo mbetet një rritje e respektueshme për të ruajtur ekuilibrat makroekonomik, por gjithsesi, është nën nivelin e duhur për të bërë të mundur nxjerrjen e njerëzve nga varfëria, sikurse ishte rasti para krizës financiare globale të vitit 2009. Prandaj është e rëndësishme të mos harrohet dimensioni njerëzor i krizës. Përmirësimi i administrimit, mbulimit dhe targetimit të mbrojtjes sociale marrin një rëndësi të veçantë në këto kohë të vështira duke pasur parasysh ndjeshmërinë e lartë të grupeve në nevojë ndaj  lëkundjeve ekonomike.




Permanent URL for this page: http://go.worldbank.org/Q47IBVQKY0