Click here for search results

Takim informues me median i znj. Kseniya Lvovsky, Perfaqesuese e Perhershme e Bankes Boterore

Available in: English

Informacion për median i Bankës Botërore
Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme
12 janar 2012

Kseniya Lvovsky photoMirëseerdhët në zyrën e Bankës Botërore dhe Gëzuar Vitin e Ri! Duke shfrytëzuar rastin e pranisë së disa ekspertëve të Bankës Botërore nga zyrat tona qendrore në Uashington, të cilët vizitojnë Tiranën gjatë kësaj jave, ne do të dëshironim të ndanim me ju pikat kryesore të bashkëpunimit me Shqipërinë gjatë muajve të fundit të vitit 2011 dhe planet tona për Vitin e Ri.

Viti 2011 në retrospektivë

Siç mund ta kujtoni, në 15 nëntor 2011 Banka Botërore prezantoi Raportin e saj të parë të Rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore (RER), përfshirë dhe Shqipërinë, i cili krahasoi performancën e 6 vendeve dhe nënvizoi fushat prioritare për reduktimin e pikave të dobëta ndaj krizës së borxheve në eurozonë. Raporti u mbulua mirë nga mediat shqiptare, falë përpjekjeve tuaja. Unë jam e kënaqur që drejtuesi i ekipit dhe autori kryesor i raportit, z. Ron Hood, është këtu me ne sot dhe do të jetë në gjendje t’u përgjigjet drejtpërdrejt pyetjeve tuaja.

Në 20 dhjetor 2011, Banka Botërore miratoi financim shtesë për Sigurinë e Digave në shumën 22 milionë USD duke plotësuar kredinë e mëparshme prej 35 milionë USD. Financimi shtesë do të mundësojë KESH-in të fillojë me tenderimin dhe të ndërmarrë punime madhore rehabilituese në digën e Komanit, si dhe të përmirësojë kapacitetin e ujëshkarkuesit dhe funksionimin e gjithë kaskadës së Drinit.

Duke u bazuar në gjithë programin tonë për vitin 2011, Banka Botërore miratoi 47 milionë USD huadhënie të re, mobilizoi burimet e granteve prej 6.4 milionë USD në fonde besimi për të mbështetur menaxhimin e përmbytjeve, zhvillimin e burimeve natyrore, administratën publike dhe raportimin e korporatave, dha grante të vogla me një total prej 200 000 USD për organizatat e shoqërisë civile dhe publikoi 6 raporte të reja mbi çështjet e zhvillimit të Shqipërisë, përfshirë RER. Pa numëruar këtu një sërë studimesh rajonale dhe raportesh globale të tjera, si Doing Business, të cilat mbulojnë Shqipërinë.

Rezultatet e partneritetit tonë me Shqipërinë në vitin e fundit variojnë nga pastrimi i zonës së rrezikshme në Porto Romano, tek ndërtimi i shkollave të reja dhe rrugëve rurale, tek dhënia e pajisjeve moderne mjekësore për spitalet publike, tek pilotimi i një skeme të re për të paguar komunat për pyllëzimet nga fondi global BioCarbon, tek miratimi i ligjit të ri mbi inspektimet, i cili përmirëson mjedisin e biznesit, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Termocentrali i Vlorës i bashkëfinancuar nga Banka Botërore hyri në një fazë funksionimi tregtar në dhjetor 2011. Një pjesë e madhe e punës për të rindërtuar dhe forcuar infrastrukturën mbrojtëse kundër përmbytjeve në rajonin e Shkodrës, për të cilën Banka Botërore rialokoi 12 milionë USD nga aktivitetet e tjera pas përmbytjeve të vitit 2010, ka përfunduar.

Vështrim mbi 2012

Fokusi ynë në vitin 2012 do të jetë ndihma për Shqipërinë për të zbutur ndikimet e krizës së vazhduar të eurozonës. Unë besoj se ju e keni lexuar deklaratën tonë për shtyp të kohëve të fundit rreth një rritjeje në paketën e investimeve të cilën Banka Botërore e vuri në dispozicion për Shqipërinë. Këto vende janë shumë të lidhura me ekonomitë e eurozonës dhe sit ë tilla janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve në ritmin ekonomik në këto ekonomi. Objektivi kryesor i këtij financimi është të ndihmojë vendet e prekura të ruajnë një rritje të qëndrueshme pavarësisht rreziqeve të jashtme të shtuara.

Në Shqipëri, pjesa më e madhe e këtij financimi të ri do të përdoret për të forcuar dhe zgjeruar programin e reformave, të cilat ne kemi planifikuar të mbështesim nëpërmjet huave të politikave të zhvillimit (Development Policy Loan - DPL) për qeverisjen dhe konkurrueshmërinë. Asistenca jonë do të përqendrohet gjithashtu mbi reduktimin e dobësive fiskale dhe nivelin e borxhit publik. Gjithashtu mund të jepet mbështetje për mbrojtjen e sektorit financiar nga tronditjet e jashtme. Disa ekspertë po vizitojnë këtë javë Shqipërinë për të diskutuar me qeverinë masat që do të mbështeten, kuadrin kohor të zbatimit të tyre, nevojat për financim dhe instrumentat përmes të cilëve do të kanalizohen fondet. Disa nga këta ekspertë janë të pranishëm këtu – Ron Hood, Borko Hadjiski dhe Michael Edwards – për t’ju përgjigjur pyetjeve tuaja. Do të ishte mirë të mbahej parasysh që bisedimet dhe vlerësimet janë në një fazë të hershme dhe vendimet nuk janë marrë ende. Ne do ju komunikojmë më shumë informacion specifik sapo ai të jetë i disponueshëm.

Kur rritja ekonomike ngadalësohet dhe remitancat tkurren, forcimi i rrjetit  të sigurisë sociale dhe sigurimi i mbrojtjes së më të varfërve është shumë I rëndësishëm. Ne kemi punuar me qeverinë shqiptare gjatë viteve të kaluara për reformimin e programeve të ndihmës sociale. Ndryshimi i ligjit të ndihmës sociale i miratuar në fillim të vitit të kaluar ishte një veprim i rëndësishëm dhe në kohën e duhur. Një ekip tjetër që po viziton Shqipërinë këtë javë dhe përfaqësohet këtu nga drejtuesja e ekipit znj. Melis Guven, po punon me Ministrinë e Punës mbi një projekt për të mbështetur zbatimin e këtyre ndryshimeve dhe për të përmirësuar efiçencën, administrimin dhe barazinë e ndihmës sociale. Financimet shtesë do të na mundësojnë rritjen edhe të këtij projekti nga 25 milionë në 40 milionë USD. Ne presim që financimi për këtë projekt të miratohet në prill 2012.

Një projekt tjetër madhor, i cili po përgatitet me Ministrinë e Punëve Publike është Projekti i Investimeve në Sektorin e Ujit. Projekti synon të përmirësojë furnizimin me ujë në zonën e Durrësit, përfshirë bashkitë dhe komunat në veri të Durrësit, dhe funksionimin e ndërmarrjes së ujësjellësit të Durrësit. Në presim miratimin e 40 milionë USD për financimin e këtij projekti në gjysmën e dytë të vitit 2012.

Në pjesën analitike (raporteve), ne kemi përfunduar Vlerësimin e Përgjegjshmërisë Ekonomike dhe Financiare Publike për Shqipërinë, i cili pritet të prezantohet nga fundi i këtij muaji. Ai do të nënvizojë progres të rëndësishëm krahasuar me vlerësimin e vitit 2006 si dhe disa fusha të cilat kanë nevojë për t’u përmirësuar.

Gjatë këtij viti, ne do të ndihmojmë qeverinë në hartimin e reformës së pensioneve. Kjo asistencë teknike do të ndërmarrë modelimin e pensioneve për të kuptuar qëndrueshmërinë fiskale dhe përfitimet e sistemit actual, dhe ndikimin e alternativave të ndryshme të reformës. Do të organizohet në Tiranë një workshop për të shkëmbyer përvojën ndërkombëtare dhe për të kontribuar në debatin publik mbi reformën e pensioneve në Shqipëri.

Në maj 2012, do të mbahet në Tiranë një forum rajonal mbi prokurimin publik për të shkëmbyer përvojat dhe mësimet nga projektet e Bankës Botërore në vendet e ndryshme. Ne i jemi mirënjohës Agjencisë së Prokurimeve Publike të Shqipërisë për mbështetjen e kësaj veprimtarie të rëndësishme dhe që tregoi gadishmërinë ta organizonte në Tiranë.

Në muajt e ardhshëm, ne do të fillojmë përgatitjen e Raportit e Progresit për Strategjinë aktuale të Partneritetit me Vendin (SPV), i cili do të jetë një mundësi për të nxjerrë mësime, për të rishikuar prioritetet dhe për të bërë ndryshime në program sipas nevojës. Duke patur parasysh një mjedis shumë të ndryshëm ekonomik nga ai i pritur në këtë kohë në SPV-në aktuale, ka të ngjarë të ketë rregullime të rëndësishme, duke përfshirë rritjen e sipërpërmendur në paketën e financimit. Përgatitja e raportit të progresit do të përfshijë konsultime me të gjithë grupet e interesit, dhe ne do t’ju informojmë vazhdimisht.

Faleminderit për vëmendjen. Pres me padurim të punoj me ju në këtë vit sfidues.

Pyetje dhe përgjigje




Permanent URL for this page: http://go.worldbank.org/LDHQGVZCW0