Click here for search results

Grupi i Bankës Botërore rrit ndihmën për vendet në zhvillim të prekura nga kriza e Eurozonës

27 miliardë USD fonde në dispozicion të vendeve në zhvillim të Evropës
dhe Azisë Qendrore

UASHINGTON, 25 janar 2012 - Grupi i Bankës Botërore njoftoi sot se është duke vënë në dispozicion për gjatë dy viteve të ardhshme fondin prej 27 miliard USD për vendet në zhvillim të Evropës dhe Azisë Qendrore të prekura nga kriza e Eurozonës. 

"Ndërkohë që efektet e krizës së Eurozonës në ekonomitë më të madha të Evropës Perëndimore tërheqin pjesën më të madhe të vëmendjes në botë, kriza po dëmton gjithashtu edhe njerëzit në vendet në zhvillim të Evropës Lindore, veçanërisht ata më të varfrit në Evropën Qendrore dhe Juglindore," u shpreh Presidenti i Bankës Botërore Robert B . Zoellick. "Grupi i Bankës Botërore është duke zgjeruar fondet në dispozicion për rajonin në mënyrë që këto vende të mund të mbështeten në këto burime për të t’i bërë ballë krizës."
 
Kriza e borxhit të Eurozonës po dëmton rajonin e  Evropës dhe Azisë Qendrore nëpërmjet tri kanaleve - financave, tregtisë, si dhe dërgesave të punëtoreve – ndërkohë që rëndësia e çdo kanali varet nga karakteristikat individuale të vendeve.

"Për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Eurozonën, vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore ka të ngjarë të përballen me një ngadalësim ekonomik në vitin 2012," tha Philippe Le Houérou, Zëvendës President i Bankës Botërore për Vendet në Zhvillim të Evropës dhe Azisë Qendrore. "Ndihmesa shtesë e Bankës Botërore do t’i ndihmojë vendet qe ato të ruajnë një kuadër të shëndoshë makro-fiskal, të zbatojnë reformat e nevojshme strukturore, të sigurojnë dhënien e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe të mbrojnë shtresat më të rrezikuara të popullsisë, nëpërmjet rrjeteve më të forta dhe më të  mirëorientuara të sigurisë sociale. "

Kontributi i Grupit të Bankës Botërore për rajonin e  Evropës dhe Azisë Qendrore do të fokusohet në: (i) reformat strukturore dhe mbështetjen e sektorit privat për të ruajtur rritjen e investimeve, të ardhurave, dhe të punësimit, (ii) mbështetjen këshillimore dhe financiare për vendet me sisteme bankare të brishta, dhe (iii) mbrojtjen e më të rrezikuarve përmes forcimit rrjeteve të mbrojtjes sociale. 

• Banka Botërore - Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) mund të rrisin kreditimin për Evropën dhe Azinë Qendrore në rreth 16 miliardë USD për vitet fiskale 2012-2013 (FY12-13) - një rritje prej 4 miliardë USD për dy vjet krahasuar me vitin paraardhës të kreditimit. Kjo rritje e kreditimit dhe puna këshilluese shoqëruese mund të lidhen me reformat afatmesme të politikave për rritjen konkurrueshmërine, shtimin e përpjekjeve për një qëndrueshmëri fiskale të mirë, për përkrahjen emergjente për të shmangur krizat bankare (duke përfshirë linjat e kredisë për tregtinë dhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme [SME-te ]), dhe reformimin e rrjetave të sigurisë sociale për të përmirësuar mbulimin, efektivitetin e kostos, dhe qëndrueshmërinë. 
• Programi i investimeve dhe këshillimit i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) mund të arrijë në 10 miliardë USD angazhime duke përfshirë mobilizimin e fondeve në vitin fiskal 2012-2013. Kjo do të përfshijë rritjen e investimeve për llogari të vet IFC-së prej gati 2 miliard USD krahasuar me nivelet aktuale. Reagimi i IFC-së është nxitur nga rëndësia sistemike e bankave në Evropën dhe Azinë Qendrore dhe do të përfshijë: financime afatshkurtra dhe produkte tregtare për të trajtuar shqetësimet e menjëhershme të likuiditetit, investime me borxh dhe kapitale  për të  për mbuluar mungesat e kapitalit, forcimin e financimit të SME-ve për të plotësuar mangësitë  e financimit, si dhe për të mbështetur klientët e sektorit të pasurive.  
• Produktet e sigurimit të riskut politik të Agjencisë Shumëpalëshe për Garantimin e Investimeve (MIGA) po ndihmojnë bankat në rajon që të ruajnë financimet për degët e tyre në Evropë dhe Azinë Qendrore. MIGA po planifikon të rrisë ekspozimin e saj në rajon, me 1 miliard USD gjatë dy viteve të ardhshme për të mbështetur rritjen ekonomike.

Paralelisht, Grupi i Bankës Botërore po krijon partneritet edhe me bankat e tjera shumëpalëshe të zhvillimit për të nxitur bankat e Evropës Perëndimore që të qëndrojnë në Evropën Lindore dhe jo të heqin dorë nga rajoni. Në kuadër të "Iniciativës së Vjenës" për Koordinim të Bankës Evropiane, Grupi i Bankës Botërore, së bashku me zyrtarë të tjerë të sektorit publik u takuan në Vjenë në 16 janar me qëllim rritjen e koordinimit të politikave kombëtare që mund të ndikojnë në ekonomitë e vendeve në zhvillim të Evropës.

Në takim u ra dakord që institucionet ndërkombëtare të vlerësojnë ndikimin e planeve agregate të rikapitalizimit nga bankat në vendet pritëse për të identifikuar rreziqet sistematike dhe të japin këshilla për veprimet e politikave. Gjithashtu u ra dakord për të qëndruar të gatshëm të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje të jashtme financiare për bankat në vendet pritëse, brenda  mandatit dhe kapaciteteve të bilancit te tyre. Në këtë takim u zotuan të bashkëpunojnë ngushtë për të maksimizuar ndikimin e tyre.




Permanent URL for this page: http://go.worldbank.org/U0FLG1MXC0