1. Cili eshte plani i Bankes Boterore per ndihmat qe do ti akordohen Shqiperise me renien e gripit te pulave ne Shqiperi? Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe partnerët e tjerë të zhvillimit kemi nisur përpjekjet prej disa kohësh për të siguruar gatishmërinë e vendit për të marrë masat e nevojshme për parandalimimin e përhapjes së influencës aviare dhe për ndërtimin e kapaciteteve për trajtimin e saj në rast përhapjeje. Kjo punë ka disa kohë që ka nisur dhe dje mësuam nga Ministri i Bujqësisë, z. Gjana për rastin e parë të konfirmuar të virusit H5N1 në jug të Shqipërisë. Qeveria ka ngritur një grup pune, i cili është në krye të detyrës, ndërsa ne po i ndihmojmë si pjesë e një programi të koordinuar të Kombeve të Bashkuara, nën lidershipin e PNUD-it, OBSH-së dhe UNICEF-it, së bashku me partnerë të tjerë të rëndësishëm dypalësh, si p.sh. USAID-i. Të gjitha këto organizata do të mbështesin programin e qeverisë, ndërsa ne do ta financojmë atë. Të gjithë po punojmë për të njejtin program dhe po ofrojmë mbështetjen tonë tekniko-financiare për qeverinë shqiptare. 2. Sa do te jete shuma e planifikuar paraprakisht dhe si do te behet shperndarja e ketyre fondeve, do ti jepet qeverise apo do te komunikohet direkt me biznesin e prekur? Aktualisht po punojmë me qeverinë shqiptare dhe donatorët për evidentimin e nevojave më të rëndësishme. Kjo punë tashmë ka nisur dhe pas përfundimit të saj do të kemi një ide më të qartë në lidhje me kërkesat dhe sesi mund t’i vijmë në ndihmë qeverisë për plotësimin e tyre. Pa u përfunduar kjo punë nuk mund të kemi një ide të saktë në lidhje me shumën që do të nevojitet si mbështetje. Mbështetja jonë sigurisht që do të kanalizohet përmes institucioneve qeveritare. Ne nuk i zbatojmë vetë projektet dhe mbështetemi tek qeveria për zbatimin e të gjitha projekteve dhe programeve. Banka Boterore nuk ka, apo nuk parashikon ndonje skeme kompensimi. Banka Boterore po ndihmon qeverine per te forcuar skemen e kompensimit permes mbeshtetjes financiare dhe teknike qe do te ofroje. 3. Cilat jane eksperiencat e Bankes Boterore me vendet e rajonit dhe cilat jane shumat qe u jane akorduar? Banka Botërore po mbështet shumë vende në botë për tu përgatitur për t’i bërë ballë gripit të shpendëve. Në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore po ndihmojmë një numër vendesh. Tashmë është miratuar një projekt për influencën aviare për Republikën e Kirgizistanit dhe janë duke u përgatitur projekte për Shqipërinë, Armeninë, Azerbaixhanin, Bosnje-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Moldavinë, Taxhikistanin dhe Turqinë. Nevojat ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin në varësi të numrit të popullësisë, pesha që zë sektori i shpendëve në ekonomi dhe kushtet fillestare të sistemeve të shëndetësisë dhe veterinarisë. Për çdo vend do të bëhet veçmas dhe me kujdes vlerësimi i sistemeve dhe nevojave. 4. ka ndonje fond te percaktuar per Shqiperine Paraprakisht apo do te pritet te percaktohen nevojat njehere pastaj te percaktohet shuma? Siç edhe e thashë më lart, aktualisht po punojmë me autoritetet shqiptare për evidentimin e nevojave më kritike dhe fondeve që nevojiten për trajtimin e tyre. Puna jonë do të koordinohet me agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara dhe donatorët dypalësh dhe Banka Botërore më pas do të vendosë në bashkëpunim me qeverinë për shumën e këtij projekti. Do të përdorim disa nga fondet e granteve të akorduara për Influencën Aviare dhe atyre do tu shtojmë kredi të IDA-s. |