“Çfarë mendoni për amnistinë fiskale?” - është pyetja më e zakonshme këto ditë. Nuk është hera e parë të shoh qeveritë ta përdorin këtë mjet. Nuk është i pazakonshëm edhe debati i zjarrtë publik. Amnistia fiskale mund të krahasohet me një ndërhyrje kirurgjikale dhe mund të vlerësohet po me kritere të ngjashme. Një operacion nuk është asnjëherë i lehtë apo pa rreziqe, megjithatë është një alternativë. Çelësi është te kryerja pa gabime. A do ta minimizonte kjo rrezikun e mbetjes së qelizave që mund ta përhapnin sëmundjen më tej duke u munduar të shmanget heqja masive e pjesës së shëndetshme? A ka besim pacienti tek kirurgu? Periudha e postoperimit është e rëndësishme. A do të mundet një monitorim, vlerësim dhe trajtim pas operacionit të sigurojë shërim të plotë? Prognoza afatgjate dhe parandalimi janë kryesorët. A janë trajtuar shkaktarët e sëmundjes në mënyrë të tillë që të shmanget një proces edhe më i dhimbshëm në të ardhmen? Si të përmirësohet motivimi për një sjellje të shëndetshme?
Në situatën e prezencës për një kohë të gjatë të ekonomisë së gjerë informale, zbatueshmërisë së kufizuar të rregullave, dhe një tolerance publike të vazhdueshme ndaj bërjes së gjërave informalisht, amnistia fiskale mund të jetë një mjet katalizator drejt zgjidhjes. Por vetëm, nëse bëhet njëherë, ekzekutohet mirë dhe mbështetet nga masa të tjera që do të çonin në një paketë efektive. Pra, çështja është si duhet bërë që të pakësojë dhe, eventualisht, të eliminojë vazhdimin e aktiviteteve informale, evazionin fiskal dhe forma të tjera të thyerjes së rregullave.
Janë tri çështje kryesore që do të përcaktojnë rezultatin final. Së pari, sigurimi i një procesi transparent dhe të besueshëm se kush ka të drejtën e amnistisë fiskale dhe kush përjashtohet, është mjaft i rëndësishëm përfshirë dhe mundësinë e rishikimit, apo dhe zbatimit të procesit nga një grup i pavarur. Krijimi i këtij grupi nuk është i njëjtë me pasjen e një numri të barabartë anëtarësh nga të dy koalicionet. Së dyti, masat që do të ndërmerren për ata që “nuk pastrohen” gjatë periudhës së amnistisë janë po aq të rëndësishme. Duhet të ketë një angazhim dhe kapacitete për të dhënë mesazhin e qartë se shkelja e ligjit nuk do të tolerohet në të ardhmen. Pavarësisht forcës në dhënien e mesazhit, ai do të respektohej vetëm nëse veprimet do të konsideroheshin të drejta, të paanshme, të ligjshme dhe jo preferenciale për të gjithë “shkelësit”. Veprimi duhet të jetë i shpejtë, sepse vonesat do të shkaktonin një “moral të rrezikshëm” dhe në shfaqjen e të njëjtave praktika të vjetra të paligjshme. Ana tjetër e monedhës është, se ata që përfitojnë dhe mund të kërkojnë aministi fiskale, duhet të krijojnë besimin te marrëveshja për të cilën bien dakord.
Minimizimit të “moralit të rrezikshëm”, - një nocion sipas të cilit injorimi i ligjeve dhe detyrimeve është më i leverdsshëm, pa gjasa për t’u ndëshkuar dhe që eventualisht harrohet- i duhet kushtuar një vëmendje e veçantë. Shumë njerëz ndjehen keq që kanë paguar rregullisht gjithë jetën faturat e energjisë, ndërkohë që të tjerët që nuk e kanë bërë, thjesht po ia hedhin. Ndjenja të të tilla nuk duhet të injorohen. Ndaj, çështja e tretë - që lidhet me të dytën, por dhe më e rëndësishme në planin afatgjatë, - është papranueshmëria e sjelljeve të amnistuara më parë, të çfarëdolloj shkalle qofshin ato. Monitorimi, zbatimi i ligjit apo marrja e masave ndëshkuese, pavarësisht rëndësisë së tyre, nuk janë të mjaftueshme. Nevojitet një partneritet i fortë publik-privat në krijimin e një sistemi ekonomik, në të cilin njerëzit dhe bizneset kuptojnë se sjelljet e përgjegjshme sjellin përfitime ekonomike. Si për shëmbull, mundësia për marrjen më shpejt dhe më lirë të një kredie për një aktivitet tregtar apo për një shtëpi të re. Apo mundësia për të hapur një linjë kreditimi me kushte pagese më të favorshme. Apo marrja e statusit të “klientit preferencial” nga banka, shërbimet utilitare, apo ndonjë ofrues tjetër shërbimesh që shoqërohet me një sërë privilegjesh. Kjo ka të bëjë kryesisht me sektorin privat, por dhe qeveria së bashku me shoqërinë civile mund të luajnë një rol lehtësues. Inkurajimi i mekanizmave si historia e kreditit që dallon dhe shpërblen sjellje të përgjegjshme të kompanive dhe klientëve, do të ndihmonte arritjen e objektivit final – krijimin e një kulture biznesi ku përgjegjshmëria financiare dhe zbatimi i rregullave janë në interesin privat dhe zgjedhja më e zgjuar.
|