Click here for search results
Online Media Briefing Cntr
Embargoed news for accredited journalists only.
Login / Register

Intervistë nga Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri botuar në Scan TV

Available in: English

Photo1. Cili është misioni i Bankës Botërore dhe a është ai i kufizuar vetëm tek vendet në zhvillim?

Grupi i Bankës Botërore është një organizatë shumëpalëshe me rreth 190 vende anëtare, nga më të varfërat e botës deri tek më të pasurat. Mandati ynë është ulja e varfërisë dhe mbështetja e zhvillimit të qëndrueshëm.  Ne ofrojmë burime financiare, njohuri dhe ngritjen e kapaciteteve e kapaciteteve për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Dega jonë e sektorit privat, Korporata Ndërkombëtare Financiare, përqendrohet tek mbështetja e investimeve pararojë   në vendet në zhvillim nga sektori privat.

Ndërkohë që ekonomia botërore po bëhet më e globalizuar dhe e ndërlidhur, Banka Botërore është gjithashtu e përfshirë gjithnjë e më shumë në trajtimin e çështjeve globale, siç janë tregtia ndërkombëtare, tronditjet ekonomike globale, sëmundjet ngjitëse dhe ndryshimet klimatike. Sfidat globale kërkojnë veprim të bashkërenduar nga të gjitha vendet, të pasura, me të ardhura të mesme dhe të varfëra, dhe Banka Botërore është duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin në këto çështje në të gjitha vendet.

Misioni i Bankës Botërore në Shqipëri është të ndihmojë vendin të arrijë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, ndërkohë që vendi shkon më pranë Evropës. Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991.

2. Cilat janë objektivat e Strategjisë së Partneritetit për Shqipërinë dhe cilat janë drejtimet strategjike në të?

Baza për aktivitetet e Bankës Botërore në Shqipëri është Strategjia e Partneritetit. Ajo është zhvilluar në konsultim me Qeverinë dhe aktorët e tjerë të interesuar, përfshirë edhe shoqërinë civile.

Gjatë pothuajse 20 viteve të saj në Shqipëri, Banka Botërore ka mbështetur zhvillimin e vendit në një gamë të gjerë sektorësh. Ajo ka ndihmuar në modernizimin e administratës publike në Shqipëri dhe për të përmirësuar praktikat e menaxhimit të shpenzimeve publike të saj. Projektet e Bankës Botërore janë fokusuar në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe përmirësimin e mbrojtjes sociale dhe sistemet e ofrimit të shërbimeve sociale.

Infrastruktura lokale është përmirësuar, dhe financimi i rrugëve kombëtare dhe rurale ka përmirësuar komunikimin brenda vendit, duke lehtësuar aksesin e njerëzve në qendrat dhe shërbimet ekonomike dhe sociale. Banka Botërore ka ndihmuar Shqipërinë të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e kuadrit rregullator për bizneset dhe për të hequr pengesat e dëmshme administrative. Shqipëria ishte një nga dhjetë vendet më reformatore në mbarë botën në vitin 2009.

Strategjia aktuale e Partneritetit e Grupit të Bankës Botërore për vitet 2011-2014 mbështet Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillim dhe Integrim duke u fokusuar në tre objektiva strategjike:

i. përshpejtimi i e kthimit të Shqipërisë në normat e larta të rritjes në një Evropë post-krizë;
ii. zgjerimi dhe mbajtja e përfitimeve sociale të Shqipërisë; dhe
iii. menaxhimi i burimeve ujore duke përfshirë nevojën për të reduktuar  vulnerabilitetin ndaj ndryshimeve të klimës.

Programi i Strategjisë së Partneritetit gjithashtu vazhdon të mbështesë përmirësimet në qeverisje në Shqipëri. Paketa e financimit arrin në rreth 300 milion US$ hua nga BNRZH, ndërsa financimi i IFC për sektorin privat pritet të rritet në 120 - 150 milionë US$.

3. Si do ta vlerësonit ecurinë e ekonomisë shqiptare në kohë, cilat janë disa nga sukseset dhe mangësitë që ju shihni?

Shqipëria ka pasur një histori shumë të suksesshme të rritjes së qëndrueshme të nivelit të lartë për dhjetë vjet para rënies ekonomike globale në 2009. Rritja ekonomike vjetore kishte një mesatare 6 përqind - ndër më të lartat në Europë - si dhe rënie të nivelit të papunësisë në mënyrë të qëndrueshme. Përqindja e varfërisë u përgjysmua gjatë viteve 2002-2008 (nga 25.4 për qind në 12.4 për qind) dhe rreth 200.000 njerëz u nxorë nga varfëria gjatë kësaj periudhe. Reduktimi i varfërisë ka qenë veçanërisht dramatik në zonat rurale, ku përqindja e varfërisë ra nga 39,6 për qind në vitin 2002 në 14.6 përqind në vitin 2008, pra pothuajse 3 herë. Shqipëria ishte një nga vendet e pakta në Europë që ruajti normat pozitive të rritjes në vitin 2009, pavarësisht nga kriza globale. Edhe pse ekonomia shqiptare ka dalë nga trazirat e fundit botërore në gjendje më të mirë se shumë vende të tjera, ka pak hapësirë për vetëkënaqësi për shkak të ringritjes së dobët në vendet e BE dhe problemet në disa nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë. Ashtu si në shumicën e vendeve në zhvillim, ka një nevojë për të plotësuar reformat strukturore dhe për të rritur produktivitetin në sektorët kyçë, paralelisht me mbështetjen e krijimit të vendeve të punës. Për ruajtjen e rritjes dhe për të shkuar drejt standardeve të jetesës së BE-së, do të jetë gjithashtu e rëndësishme t'i jepet më shumë vëmendje menaxhimit të tokës, ujit dhe cilësisë së mjedisit, forcimit të shtetit ligjor, bërjes së rregulloreve të qarta dhe sigurimit që ato po zbatohen.

4. Si do ta përshkruanit bashkëpunimin me qeveritë shqiptare gjatë zbatimit të projekteve të përbashkëta?

Deri tani unë kam punuar në Shqipëri më pak se një vit, dhe përvoja ime në Shqipëri është e kufizuar. Por unë kam punuar me Bankën Botërore në disa vende të të tjera në zhvillim të Evropës Lindore, Azisë Qendrore, Amerikës Latine, etj. Deri tani, bashkëpunimi me qeverinë shqiptare ka qenë i shkëlqyer. Mua më ka bërë shumë përshtypje profesionalizmi, angazhimi dhe gadishmëria e treguar nga homologët tanë të qeverisë shqiptare për të mësuar nga praktikat më të mira rajonale dhe globale.

5. Memorandumi Ekonomik te Vendit - Axhenda e Re e Rritjes Ekonomike u botua në vitin 2010. Çfarë do të përfshijë dhe cili është përparimi deri më tani?

Memorandumi është një dokument i cili përgatitet çdo 3 - 4 vjet në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare. Gjatë aktivitetit të saj BB ka përgatitur disa Memorandume. Ky raport shqyrton performancën ekonomike të Shqipërisë, identifikon pengesat për rritjen ekonomike dhe ofron analiza për të ndihmuar në hartimin e politikave që do të kapërcenin këto pengesa. Ai fokusohet në sfidat ndaj rritjes ekonomike me të cilat përballet Shqipëria, si një vend i sapoardhur në grupin e vendeve me të ardhura të mesme në një mjedis të jashtëm të vështirë, unë do të thoja të paprecedent, pas krizës globale, me zhvendosje të mëdha në pushtetin global ekonomik. Raporti analizon dobësitë e mundshme të ekonomisë dhe propozon masa për ruajtjen e stabilitetit makro-financiar të ekonomisë. Raporti e vendos arsimin dhe aftësitë në qendër të axhendës së re për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ai gjithashtu propozon masat e nevojshme për të përfunduar krijimin e infrastrukturës shtyllë, siç është energjia dhe TIK, dhe për të përmirësuar klimën e investimeve dhe faktorët që ndikojnë në kthimin e investimit. Shumë rekomandime të raportit janë duke u pasqyruar në një seri të re programatike të operacioneve të Politikave të Zhvillimit për të përmirësuar qeverisjen dhe konkurrushmërinë, që është duke u përgatitur dhe do të shtrihet në tre vjet.

6. Cilat janë disa nga projektet më të mëdha dhe të rëndësishme (aktive apo të propozuara) të Bankës Botërore në Shqipëri?

Portofoli aktual përbëhet nga 11 projekte aktive me financim prej rreth $ 230,000,000, me fokus kryesor në energji, transport, sektorët socialë dhe mjedis. Projekti ynë i fundit është huaja e politikave të zhvillimit të sektorit Social, me një hua prej 25.000.000 US$ të nënshkruar muajt e fundit. Ajo do të ndiqet nga  operacioni i investimeve të ndihmës sociale që ne jemi duke përgatitur. Projektet e tjera kryesore që janë duke u përgatitur  janë Projekti i Investimeve të Sektorit të Ujit,  Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes;  dhe seria programore e DPL për qeverisjen dhe konkurrencën që përmenda më lart.

Banka është e përfshirë në punën analitike mbi të drejtat e pronësisë, qeverisjes, ujit, arsimit, mbrojtjes sociale, sektorit financiar, si dhe përshtatjen me ndryshimin e klimës në fushën e energjisë dhe të bujqësisë.

7. Huaja e Politikave të Zhvillimit në Reformën e Sektorit Social është nënshkruar midis Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore në 20 qershor 2011. Cila është rëndësia e këtij projekti?

Rëndësia e këtij operacioni është se ajo mbështet përmirësimit e targetimit, efikasitetit dhe transparencës së programeve të asistencës sociale për të arritur më mirë  dhe për tu shërbyer të varfërve, si dhe për përmirësimin e aksesit të tyre në shërbimet shëndetësore.  Miratimi i këtij projekti ishte paraprirë nga një sërë veprimesh politike të ndërmarra nga Qeveria e Shqipërisë dhe të miratuara nga Parlamenti në shkurt dhe mars të këtij viti. Këto dy pjesë legjislacioni përfshijnë programin e ndihmës ekonomike dhe atë të kujdesit shëndetësor.

Siç e thashë, ne jemi duke mbështetur qeverinë në zbatimin e këtyre ndryshimeve, dhe shpresojmë që të varfërit në Shqipëri brenda dy viteve të ardhshme të ndjejnë përmirësime të diukshme në jetën e tyre.

8. Cilat janë sfidat e Shqipërisë në përgjigje të ndryshimeve globale ekonomike, zhvillimet globale dhe rritjes së konkurrencës? Çfarë rekomandoni ju për të përballuar këto sfida?

Sfida kryesore për Shqipërinë në periudhën e ardhshme është që të mos mbështetet në arritjet e kaluara ekonomike por të zgjerojë burimet e rritjes, të rrisë produktivitetin dhe të krijojë një klimë ekonomike që do të çojë në më shumë vende pune të reja. Vendi ka nevojë të investojë në kapitalin njerëzor dhe të mbrojë kapitalin natyror që ka. Bashkëpunimi rajonal dhe përparimi drejt integrimit në BE janë të rëndësishëm për konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike të ardhshme. Një Shqipëri moderne, konkurruese, e begatë është brenda mundësive. Por axhenda është shumë e madhe dhe disa reforma janë të vështira dhe kërkojnë konsensus kombëtar. Shumë prej tyre kërkojnë ndryshime jo vetëm në legjislacion, por  mbi të gjitha ndryshime në sjelljen e të gjithë aktorëve ekonomikë. Që të ndodhë kjo, të gjithë duhet të punojnë për këtë të ardhme - qeveria, partitë kryesore politike, komunat, bashkësitë lokale dhe shoqëria civile. Unë jam e bindur që kjo është e mundur dhe do të bëhet e mundur.




Permanent URL for this page: http://go.worldbank.org/FRD0WXDHQ0