Është kthyer në Tiranë pas disa vjetësh në Britaninë e Madhe, ku kishte studiuar dhe kishte punuar si elektricist i licencuar. Këtu hapi një biznes të vogël dhe krijoi edhe familje. Për ca kohë, gjërat ecnin mirë, madje e kishte të vështirë t’u përgjigjej të gjitha kërkesave për punë, sidomos gjatë ditëve në prag të vitit të ri. Mirëpo, më pas, puna ra, thuajse avulloi. Edhe pse tani po u afrohemi festave të fundvitit, nuk ka më punë si dikur, madje as aq sa i duhet për t’i dhënë bashkëshortes dhe fëmijës së sapolindur kushtet për të cilat kanë nevojë. Të paktë janë ata që nuk e kanë dëgjuar apo parë një histori të ngjashme, apo që nuk e kanë përjetuar vetë efektin e rënies së kërkesës, vonesa në pagesa dhe rezervimi gjithnjë e më i madh i klientëve, investitorëve dhe bankave. Ndërsa do të duhet kohë për të mbledhur informacione të mbështetura në të dhëna që e provojnë këtë, dëgjohen histori të ndryshme për familje, të cilat dikur kanë qenë në gjendje të mirë e tani u kanë rënë të ardhurat që merrnin nga ndonjë familjar emigrant, sidomos në Itali apo Greqi. Për disa prej këtyre familjeve kjo do të thotë rënie sërish në varfëri. Për shumë të tjera, kjo do të thotë se të mos jenë më në gjendje t’u ofrojnë fëmijëve të tyre mundësitë për të cilat shpresonin. Ky është elementi njerëzor që fshihet pas analizave ekonomike të raportit që ka nxjerrë kohët e fundit Banka Botërore “Raporti i rregullt ekonomik për Evropën Juglindore (EJL)”, në të cilin flitet për Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën dhe Serbinë (http://go.worldbank.org/A7UN5NSSZ0). Në raport theksohet se, pas një trendi pozitiv në vitin 2010, rritja botërore ka rënë gjatë vitit 2011. Është përkeqësuar sidomos parashikimi ekonomik për vendet e eurozonës, kryesisht edhe për shkak të mostrajtimit në kohë të krizës së borxhit shtetëror në Greqi. Të gjitha vendet e Evropës Juglindore janë prekur nga këto zhvillime, të cilat janë jashtë kontrollit të tyre: rritja ekonomike ka ngecur në shifra që janë sa gjysma e niveleve përpara vitit 2009. Rritja ekonomike e Shqipërisë për periudhën afatmesme sipas parashikimeve më të fundit luhatet rreth nivelit 3%, i cili mund të konsiderohet si nivel i kënaqshëm, për rrethanat e vështira që priten. Mirëpo, këto parashikime janë poshtë nivelit që nevojitet në Shqipëri për pakësimin e varfërisë me ritmet e larta të dhjetë viteve të fundit deri përpara vitit 2009. Midis kanaleve që kanë prekur vendet e Evropës Juglindore, vëmendje të veçantë meritojnë në Shqipëri dërgesat e emigrantëve (remitancat) nga jashtë. Këto dërgesa, që vijnë kryesisht nga Greqia dhe Italia, kanë rënë me afro 10% në vit mesatarisht pas vitit 2007. Edhe pse është e kuptueshme që shumica e debateve nëpër analiza ekonomike, diskutime në kuvend dhe në media, u kushtohet çështjeve të buxhetit, borxhit, tregtisë, investimeve dhe bankave, kanali që e prek varfërinë në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe imediate janë dërgesat e e emigrantëve. Sipas vlerësimeve, duke i mbajtur të pandryshuar elementët e tjerë, një rënie prej 20% e dërgesave të emigrantëve (çka ka ndodhur tashmë) e rrit me 1,1 pikë përqindjeje numrin e popullsisë që jeton në varfëri. Nëse vazhdon kjo rënie e dërgesave të emigrantëve, e ndërthurur edhe me një rritje më të ngadaltë ekonomike, nivel të pandryshuar papunësie dhe tronditje të tjera të mundshme mbi të ardhurat, nuk mund të përjashtohet risku i kthimit mbrapa në trendin e varfërisë. Parashikimi më i fundit i Bankës Botërore, për dërgesat individuale nga jashtë, nënvizon krizën e tanishme të borxhit dhe nivelin e lartë të papunësisë në Evropë si një burim madhor të pozitës së pambrojtur, të perspektivës ekonomike dhe profesionale të emigrantëve (http://go.worldbank.org/0IK1E5K7U0). Intensifikimi i përpjekjeve për monitorimin e nivelit të varfërisë dhe veprimi në kohë për të parandaluar tendencat e padëshirueshme negative, çka është gjithmonë i rëndësishëm, përbën gjithnjë e më shumë prioritet në kohë të vështira ekonomike. Në kohë të tilla, ka shumë rëndësi që masat për mbajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe zvogëlimin e borxhit publik (një tjetër prioritet kyç ky për Shqipërinë) të mos ndërmerren në kurriz të grupeve të pambrojtura të popullsisë. Një zgjidhje është përmirësimi i mënyrës së përzgjedhjes së përfituesve të asistencës sociale, bazuar në vlerësimin e të ardhurave si dhe rritjes së efikasitetit administrativ, duke u siguruar që niveli i programit ruhet pavarësisht shpenzimeve të tjera të paracaktuara. Për këtë qëllim, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, me mbështetjen e Bankës Botërore, do të nisë në fillim të vitit tjetër një projekt të për modernizimin e asistencës sociale. Nëse flasim për vendime të vështira buxhetore, qeveria nuk ka si të gabojë nëse mbron investimet jetike që lidhen me kapitalin njerëzor. Investime të mëdha publike, siç janë veprat e mëdha infrastrukturore për të cilat vendi dukshëm ka nevojë, edhe pse me keqardhje, mund të shtyhen në kohë e ato mund të rifillohen dhe të përfundojnë edhe më vonë. Shtyrja në kohë e investimeve në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, të cilat janë shumë më të vogla se investimet për infrastrukturën, rrezikojnë të sjellin humbje të pariparueshme, për cilësinë dhe gjatësinë e jetës dhe për aftësinë konkurruese të krahut të punës, humbje nga të cilat vendi mund të mos e marrë veten për vite të tëra. Një masë me vlerë është edhe përdorimi i burimeve të pakëta publike për vënien në eficiencë të investimeve private me “potencial të lartë dhe të vazhdueshëm për krijimin e vendeve të punës”, si në bujqësi, sidomos në ato rajone ku papunësia është më shqetësuese. Në të njëjtën kohë, masat që nuk lidhen drejtpërdrejt me grupet më të pambrojtura të popullsisë, siç janë zvogëlimi apo edhe heqja e tatimeve të caktuara, duhen vlerësuar me kujdes në lidhje me efektet fiskale, zhvillimin ekonomik dhe rishpërndarjen e të ardhurave, duke përfshirë edhe periudhën afatgjatë. Për momentin, një rrugë e arsyeshme për të ecur përpara duket se është përmirësimi i mëtejshëm i administrimit dhe mbledhjes së tatimeve, për të kompensuar ndikimin që ka në të ardhurat buxhetore ngadalësimi i rritjes ekonomike. Kjo duhet shoqëruar me fuqizimin e mjeteve ekzistuese të pakësimin e varfërisë, siç është programi i ndihmës ekonomike. Ndodhemi në prag të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, dhe qeveria, në çdo të vend të botës, është një aktor shumë i rëndësishëm, por jo i vetëm, që mund t’u vijë në ndihmë grupeve të varfra dhe të pambrojtura. Krahas qeverisë, kërkohet edhe ndihma e komunitetit, e shoqërisë. Është e nevojshme që organizatat joqeveritare ta rrisin aktivitetin për uljen e varfërisë dhe mbështetjen e grupeve të mbrojtura të popullsisë. Është e nevojshme që qytetarët dhe bizneset e vogla të përdorin kanalet e ekonomisë formale dhe të paguajnë detyrimet që u takojnë, për të mundësuar financimin e shërbimeve sociale publike. Është e nevojshme që bizneset e mëdha, si edhe diaspora shqiptare e pasur, t’i rrisin programet e bamirësisë. Është e nevojshme që partitë politike t’i nxisin kontribuuesit kryesorë të tyre, të mbështesin grupet në nevojë. Do të duhet të sillemi me të tjerët ashtu siç do të donim që të tjerët të silleshin me ne, nëse do të ndodheshim në pozitat e tyre. |